PSD: Gjykimi i Kurtit proces i dëmshëm dhe të panevojshëm
Prishtinë, 9 shkurt - Në përvjetorin e tretë të ngjarjeve tragjike të 10 shkurtit, Partia Social Demokrate është pranë familjeve të atyre që pësuan në ato ngjarje dhe Ju shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta Familjeve Balaj dhe Xheladini, që humbën më të dashurit e tyre në ato protesta.
PSD-ja shpreh shqetësimin e saj që edhe 3 vjet pas atyre ngjarjeve tragjike drejtësia ndërkombëtare nuk ka bërë asnjë hap për të nxjerrë para drejtësisë, përgjegjësit dhe autorët e këtij krimi . Për me tepër ka tendencë që ky rast të mbyllet dhe fajtorët të shpëtojnë pa u dënuar.
PSD-ja vlerëson se krimi nuk mund të vjetërohet dhe se kriminelët herët a vonë duhet të përballen me drejtësinë. Bashkësia ndërkombëtare e ka për obligim që të zbardh deri në fund këtë rast dhe të vëjë në vend drejtësinë e munguar. Edhe institucionet vendore duhet të bëjnë presionin e duhur dhe të mos lënë gur pa lëvizur derisa të zbardhet kjo cështje.
Misioni për Sundim të Ligjit i Bashkimit Europian (EULEX ) ka paralajmeruar më 15 shkurt 2010, rifillimin e procesit gjyqësor kundër liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit.
PSD e vlerëson këtë proces si te dëmshëm dhe të panevojshëm, sepse si forcë politike progresive është jetësisht e interesuar që Republika e Kosovës të ngritet mbi parimet bazë të shtetit të së drejtës, ndërkaq procesi kundër Albin Kurtit bie ndesh me këtë objektiv tonin politik. Kjo është në kundërshtim edhe me parimet ndërkombëtare për pacënueshmërinë e lirive të njeriut dhe të drejtës së shprehjes së mendimit politik .
Misioni dhe prezenca e re e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë duhet të jenë të kujdesshme dhe të mos i përsërisin gabimet e UNMIK-ut sepse kjo do të dëmtontë rëndë imazhin e tyre.