PS synon të fitojë mbi 75 mandate
Tiranë, 26 qershor - Kryeministri Edi Rama ka postuar paraditen e të hënës një video në faqen e tij në Facebook, ku shihet se Partia Socialiste prin gati në të gjitha qarqet elektorale, derisa PD prin vetëm në qarkun e Kukësit.
Në këtë video shfaqet harta e Shqipërisë e ngjyrosur me ngjyrën e partisë së tij ku shfaqet numri 75 +. Mirëmëngjes, dhe ju uroj një ditë të bukur me këtë kryevepër ende të pambaruar të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, shkruan Rama.
Edhe mediat e huaja raportojnë se Partia Socialiste duket të jetë fituesja e zgjedhjeve parlamentare të së djelës, çka do ti jepte asaj një mandat të fortë për zbatimin e reformës së gjyqësorit, jetike për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas përditësimit të fundit të rezultateve, PS prin me mbi 52 për qind të votave, PD vjen pastaj me rreth 30 për qind, dhe LSI me rreth 16 për qind.