Prurjet e reja në PSHDK
Prishtinë, 23 janar - Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) është duke u konsoliduar dhe duke u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po bëhen për të rritur dhe fuqizuar PSHDK-në, si një subjekt me traditë në Kosovë, së shpejti edhe formalisht asaj pritet ti bashkohen një numër i konsiderueshëm intelektualësh të rinj nga Kosova.
Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, janë dëshmi e fuqishme se Kosovës i duhet PSHDK-ja e mirëorganizuar, si një zë i ndërgjegjes dhe arsyes, që promovon modelin e demokracisë evropiane dhe njëkohësisht identitetin evropian të shqiptarëve, nëpërmjet kultivimit të frymës së Rilindjes, si burim frymëzimi për një Kosovë europiane.
Po ashtu, brenda PSHDK-së, pritet të krijohet së shpejti Grupi për politika dhe reforma, që do të jetë një organ këshilldhënës, me qëllim parësor, rritjen e PSHDK-së, konsolidimin e saj, si dhe implementimin në jetën tonë politike, arritjet më të mëdha të demokristianizmit, si filozofi shtetformuese, në themel te të cilave janë vlerat historike, aktuale, dhe ato të perspektives demokristiane të qytetërimit të sotëm perëndimor, ku aspirojmë të integrohemi.
Qendra për informim e PSHDK-së