Provimi i Jurisprudencës hap i parë për inkuadrim në drejtësi
Prishtinë, 28 dhjetor - Në ceremoninë e ndarjes se certifikatave për 35 kandidatët që me sukses kanë kaluar provimin e Jurisprudencës, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se do të vazhdojmë me përgatitjen e kuadrove të reja për sistemin e drejtësisë, nga viti tjetër do të mundohemi të bëjmë kritere më fleksibile, jo në ato profesionale, por në ato të uljes se afateve kohore, në pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ri.
\"Bashkë me Komisionin për Provimin e Jurisprudencës do të përgatisim doracakun e ri për dhënien e provimit të jurisprudencës, ku do të përfshihen ndryshimet ligjore, do të marrim hapa konkret në themelimin e Akademisë së Drejtësisë, ku do të vazhdohet arsimimi ligjor i vazhdueshëm, jo vetëm për provimin e jurisprudencës, por edhe gjatë tërë karrierës, kështu tha, Kuqi.
Për rëndësinë e provimit të Jurisprudencës, si hap i parë për inkuadrim në sistemin e drejtësisë folën edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh Kryetar i Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Fejzullah Hasani dhe Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, sipas tyre dhënia e provimit të jurisprudencës ofron kandidatët një hap me afër inkuadrimit në sistemin gjyqësor të Kosovës.