Protesta kundër Ligjit për Amnisti
Prishtinë, 4 korrik - Në Prishtinë sot para Parlamentit është thirrur një protestë kundër votimit të Ligjit për Amnisti.
Dhjetra aktivistë të të drejtave të njeriut por edhe ata nga lëvizja \"Vetëvendosje!\" mbrëmë qëndruan nën tenda para Parlamentit në shenjë proteste kundër miratimit të këtij ligji.
Por protesta sot është thirrur nga një nismë qytetare e organizuar në mënyrë spontante.
Pjesëtari i shoqërisë civile, Shpend Kursani theksoi se me këtë propozim-ligj parashihet të falen rreth 100 kategori të ndryshme të veprave kriminale dhe se kjo i konvenon qeverisë.
Nëse ne arrijmë të mblidhemi në numër sa më të madh nesër, mund tia arrijmë që të ndalim dëme shumë të mëdha që mund të dalin prej këtij ligji, deklaroi dje Shpend Kursani.
Protesta qytetare sot nis nga ora 10:00 para Parlamentit të Kosovës.
Parlamenti pritet të miratojë sot Ligjin për Amnisti, i cili buron nga Marrëveshja e Brukselit. Projekt-ligji ka nxitur reagimin kundër të një pjese të opozitës, të analistëve dhe shumë qytetarëve.
Qëllimi primar i këtij ligji ishte amnistia e kriminelëve të Veriut, por sipas analsitëve, autoritetet e Prishtinës e kanë përshtatur ligjin edhe për njerëz afër tyre të cilët kanë precedente penale.