22 Janar 2025

Protesta e opozitës në Kuvend dhe jashtë nuk do të ndalet

Prishtinë, 20 tetor - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, takuan sot Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga. Ky takim ishte ftuar nga Presidentja.

Tre kryetarët e subjekteve politike ia paraqitën Presidentes kërkesat e Opozitës për tërheqje nga Marrëveshjet me Serbinë dhe nga ajo për demarkacionin me Malin e Zi, si kërkesa të cilat nuk kanë kompromis e as që janë të diskutueshme.

Po ashtu e njoftuan Presidenten se protesta e Opozitës së bashkuar në Kuvend dhe jashtë tij, nuk do të ndalet me asnjë kusht deri në realizimin e këtyre kërkesave.

Kryetarët e tre subjekteve shprehën kundërshtimin e tyre të fuqishëm për masat represive policore të cilat po i ndjek Qeveria me rrëmbimin e deputetëve dhe torturimin e aktivistëve të subjekteve opozitare me qëllim të frikësimit dhe ndaljes së protestës. Vetëm tërheqja nga marrëveshjet e ndal protestën. Çkado tjetër dërgon në përshkallëzim të situatës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë të papranueshme.

“Marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, janë marrëveshje të cilat domosdoshmërisht duhet të hidhen poshtë; janë marrëveshje të cilat nuk do të gjejnë zbatim në Republikën e Kosovës".

"Këto dy marrëveshje e rrënojnë dhe falimentojnë Republikën, dhe e cenojnë, cungojnë edhe territorin e Republikës. Si të tilla janë të papranueshme”, tha Ymeri.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, që mos të thërrasë seancë të re, pasi që sipas tij, gjendja mund të përkeqësohet.

“Është gabim i madh insistimi që të thirret seanca e parlamentit deri sa nuk është marrë vendim për anulimin e marrëveshjeve. Njëkohësisht është një gabim shumë i madh i Qeverisë përdorimi i policisë e i prokurorisë për ta disiplinuar opozitën".

"Është e pakuptimtë që të ndërmerret represion policor prokurorial ndaj deputetëve të zgjedhur dhe në të njëjtën kohë të insistohet të thirret seanca. I kemi shpjeguar edhe presidentes se një vendim i tillë - një veprimi i tillë për ta thirrur seancën do të jete vendim për përshkallëzim të mëtejmë të gjendjes në vend”, tha Haradinaj.

Edhe Fatmir Limaj, kryetar i partisë Nisma për Kosovën u shpreh se koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, nuk duhet të ndërmarrë veprime që mund ta tensionojnë situatën politike në të cilën ndodhet Kosova.

“Pavarësisht që koalicioni qeverisës mundohet ta shohë çdo gjë normale, sepse ky koalicion çdo gjë e sheh te numrat, prandaj ata mendojnë se nuk ka krizë. Për ata ka krizë vetëm nëse nuk ka numra, nuk e kuptojnë gjendje në të cilën është vendi".

"Ata nuk e dinë as çfarë marrëveshje të dëmshme kanë bërë për vendin. Gjithashtu do të shohim edhe rolin e aktoreve sa vërtetë, e seriozisht, janë të interesuar për të kuptuar seriozitetin në të cilin gjendet sot vendi ynë dhe për të ndërmarrë hapa drejt zgjidhjes së krizës”, deklaroi Limaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)