Protesta dhe mungesa e votave shtyjnë votimin e Thaçit për president
Prishtinë, 15 shkurt - Partitë në pushtet do të presin kalimin e 17 shkurtit për ta caktuar seancën e Kuvendit me të vetmen pikë të rendit të ditës, votimin e presidentit të Kosovës.
Megjithëse përgatitjet ishin bërë që seanca të mbahet të hënën, më 15 shkurt, burime të gazetës kanë thënë se kjo ka pak gjasa të ndodhë, pasi partnerët e koalicionit, me përkrahjen edhe të ndërkombëtarëve janë pajtuar që pasardhësin e Atifete Jahjagës ta votojnë pas protestës së opozitës, e paralajmëruar të mbahet Ditën e Pavarësisë, shkruan sot Koha Ditore.
Përveç kësaj, koalicioni ende nuk i ka të sigurta votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, ndërsa më 17 dhe 18 shkurt në Kosovë nuk do të jetë as kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili në agjendë ka një udhëtim për në Bruksel.
Kandidati i koalicionit qeverisës për president, Hashim Thaçi, thuhet se dëshiron të sigurohet se nuk do të ketë nevojë të zhvillohen tri raunde votimi, ashtu siç e përcakton Kushtetuta me rastin e zgjedhjes së presidentit
/ Koha Ditore/