Prokuroria fillon hetimet për keqpërdorimet në zgjedhje
Prishtinë, 1 shkurt - Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se pardje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit 133 raste, përmes së cilave subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 12 dhjetorit 2010, në Republikën e Kosovës.
Ndërsa dje nga Prokuroria e Shtetit, të gjitha këto lëndë u janë dërguar prokurorive kompetente, me qëllim që aty ku ekzistojnë elementet e veprës penale të ndërmerren veprimet konform dispozitave ligjore.
Këto raporte u janë dërguar këtyre prokurorive:
* Prokurorisë Komunale në Prishtinë, 48 raste,
* Prokurorisë Komunale në Prizren, 26 raste,
* Prokurorisë Komunale në Pejë, 14 raste,
* Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, 19 raste,
* Prokurorisë Komunale në Gjilan, 7 raste,
* Prokurorisë Komunale në Gjakovë, 2 raste dhe
* Prokurorisë Komunale në Ferizaj 14 raste.
Gjithashtu, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit 58 raste, përmes së cilave subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve të datës 9 janar 2011, kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar këtë proces.
Këto raporte më datën 20 janar 2011 u janë dërguar këtyre prokurorive:
* Prokurorisë Komunale në Prishtinë, 10 raste,
* Prokurorisë Komunale në Prizren, 1 rast,
* Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, 29 raste dhe
* Prokurorisë Komunale në Pejë 14 raste.
Ndërkaq, 4 raste janë të paidentifikuara se cilit regjion i përkasin, mirëpo Prokuroria e Shtetit pas informatave për identifikimin e tyre se cilit regjion i takojnë, këto raste do tua dërgoj prokurorive kompetente.