Projektrezoluta e Serbisë ka hyrë në rend dite për 9 shtator
New York, 24 gusht - Projektrezoluta e paraqitur nga Serbia është futur në rend dite për shqyrtim në fillim të shtatorit, ka konfirmuar për RTK-në një zyrtar në Kombet e Bashkuara.
Jean Victor Nkolo, zëdhënësi i presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, libianit Ali Treki, tha për RTK-në se projekt-rezoluta është caktuar të shqyrtohet më 9 shtator, mirëpo, kjo datë mund të ndryshojë. Ai shtoi se deri tani nuk ishte dorëzuar asnjë projekt-rezolutë tjetër.
Një zyrtare në Misionin Amerikan në Kombet e Bashkuara në New York tha se SHBA do të marrin pjesë në debatin kur të shqyrtohet projekt-rezoluta, mirëpo, nuk mundi të pohojë e as të mohojë nëse Washingtoni do të paraqesë një projekt-rezolutë tjetër.
SHBA kanë deklaruaer se mendimi këshilldhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka përforcuar në mënyrë të vendosur qëndrimin se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ti nxisin ato shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të ndërmarrin këtë hap.
SHBA, gjithashtu, kanë thënë se do të mbështesin veprimet konstruktive në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e kjo nënkupton edhe një projekt-rezolutë që do të ishte në frymë të afirmimit të mëtejmë të shtetësisë së Kosovës.
/rtk/