Projektligji për Qytetin e Prishtinës kthehet në ripunim
Prishtinë, 25 tetor Komisioni për Afministrat Publike i Kuvendit të Kosovës ka vendosur ta kthej edhe një herë në ripërpunim projektligjin për Prishtinën për shkak të disa pikave që bien ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës.
Pa disa mbledhjeve, dëgjimit publik dhe një takimi me përfaqësuesit e komunave që kufizohen me Prishtinën, anëtarët e komisionit sërish shfaqën dilema rreth asaj se a duhet të qëndrojë dispozita në këtë Projektligj, sipas së cilës kufijtë e qytetit të Prishtinës përputhen me kufijtë komunalë të Komunës së Prishtinës, apo Projektligji nënkupton vetëm qytetin e Prishtinës, do të thotë pa zonat rurale.
Në prani edhe të ekspertëve nga fusha e legjislacionit, u tha se disa kundërshti në kuadër të këtij projektligji, bien ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale.
Gjatë debatit shtrohej pyetja: a dëshirohet ligj për Qytetin e Prishtinës, apo ligj për Komunën e Prishtinës. Ndonjë çështje tjetër, si çështja e shkallës së grantit për qytetin e Prishtinës, nuk ishte diskutabile, por pa zgjidhjen e këtyre dilemave, ata nuk e shihnin të udhës të vazhdojnë me shqyrtimin dhe amendamentimin e projektligjit.
Në këtë situatë, anëtarët e komisionit njëzëri vendosën që ky projektligj t i kthehet në ripunim sponzoruesit të projektligjit, përkatësisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.