Programi i LDK-së për zhvillim dhe punësim do të realizohet në bashkëpunim me bizneset
Suharekë, 17 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë një vizite që iu bëri dy kompanive të suksesshme në Suharekë, kompanisë Solid dhe Intertranscop, ka thënë të shtunën se Programi qeverisës i LDK-së, për zhvillim dhe punësim, do të realizohet në partneritet të ngushtë me bizneset, të cilat do të jenë përfitueset kryesore për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillim, rritje të GDP-së, krijimit të vendeve të punës dhe luftimit të varfërisë.
Solid është një kompani e suksesshme e cila punëson 250 punëtorë dhe ka teknologji shumë konkurrente në krahasim me rajonin. Ata kanë plane ambicioze por ballafaqohen edhe me probleme, siç është nevoja për ndryshimin e Ligjit për dhënien në shfrytëzim të tokave, ballafaqohen me konkurrencën jolojale, etj, ka thënë Mustafa.
Kryetari i LDK-së, ka thënë se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të krijohen lehtësira të mëdha për investitorët e brendshëm dhe ata të jashtëm, në mënyrë që rritja ekonomike të jetë në shfrytëzim të krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të bilancit tregtar me botën e jashtme.
Kreu i LDK-së ka thënë se Programi qeverisës i LDK-së, parasheh ndërrimin e modelit ekonomik dhe mbështetjen e sektorit privat, duke promovuar dhe forcuar iniciativën private, konkurrencën e lirë dhe tregun e hapur.
Gjatë bashkëbisedimit me biznese, Mustafa është zotuar për heqjen e detyrimit që TVSH të paguhet në import, përshkallëzimin e TVSH-së, uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 50 mijë euro që është aktualisht në 30 mijë euro, pushimet e përkohshme tatimore për firmat investuese dhe luftimin tepër rigoroz të ekonomisë joformale.
Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme LDK parasheh përgjysmim i tatimit në qarkullim nga 9% në 4.5%, krijimin e një Fondi investiv nga mjetet e privatizimit për bashkëfinancim të projekteve investive në prodhim, hapje e inkubatorëve dhe zonave të biznesit dhe rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjes së investitorëve, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, LDK në Qeveri do të eliminojë barrierat ligjore dhe do ta zvogëlojë burokracinë për bizneset, ndërsa do të rishikohet edhe korniza ligjore në mënyrë që të krijohen favore për bizneset.
Duke folur për programin e tij ekonomik dhe zhvillimor, si shtylla e parë e qeverisjes së LDK-së në mandatin e ardhshëm, Mustafa ka propozuar që të rritet roli i autoriteteve lokale në ofrimin e lehtësirave të të bërit biznes dhe njëkohësisht të hiqet monopoli në furnizim me arka fiskale.
Për të rritur numrin e vendeve të punës, Mustafa potencoi se duhet ë ulet kostoja e bizneseve dhe këtë LDK-ja do ta bëjë nëpërmes investimeve në infrastrukturë, në veçanti në atë hekurudhore, mbështetjen e bizneseve me donacione dhe kredi të buta ndërkombëtare, lidhja hekurudhore me Shqipërinë, nxitja e transportit të mallrave nëpërmjet hekurudhës, e jo nëpërmjet rrugëve, etj.
Kreu i LDK-së ka thënë se do të ndërtohet stacioni intermodal në mes të Prishtinës dhe Fushë Kosovës, ku sigurohet ndërlidhja e stacionit të trenit për udhëtarë, të stacionit të autobusëve, lidhja me autostradë, lidhja me Aeroportin e Prishtinës dhe ndërlidhja me transportin i mallrave etj.