Programet politike janë të mangëta dhe paraqesin premtime për fasadë
Prishtinë, 12 shkurt - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka analizuar programet politike të partive më të mëdha në vend, dhe ka hartuar këtë dokument, me të cilin, GLPS jep vlerësimin e përgjithshëm për programet e partive të ndarë në grupe të veçanta sipas sektorëve kryesor të politikave publike.
Thënë këtë, GLPS konstaton që programet zgjedhore të partive politike më të mëdha në vend, konkretisht të a) Lëvizjës Vetëvendosje! (LVV), b) Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), c) Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe d) Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kryesisht, nëse jo në tërësi, karakterizohen si në vijim:
Programet politike janë të mangëta, të cilat nuk arrijnë të adresojnë/identifikojnë problemet kryesore të fushave përkatëse;
Programet janë kryesisht të paelaboruara, dhe nuk përmbajnë asnjë të dhënë që mundëson të kuptohet motivi/arsyeja e propozimeve dhe prioriteteve të dhëna;
Programet nuk ofrojnë në asnjë rast planifikim të kostos financiare të reformave dhe intervenimeve programore të identifikuara;
Programet nuk përcaktojnë afate kohore konkrete për reformat apo intervenimet në politikat publike të identifikuara si prioritare, si dhe
Programet kryesisht, nëse jo në tërësi, paraqesin premtime për intervenime fasadë, të përkohshme, dhe qasje afatshkurtër, të cilat nuk adresojnë zgjidhje afatgjate për problemet kronike të fushave përkatëse.
Të gjitha partitë politike, në thelb, premtojnë refoma të njëjta ose të përafërta dhe qasje të njëjtë për zgjidhjen e problemeve në vend. Për shkak të programeve të vobekëta, të paelaboruara dhe pa sqarime të rëndësishme për realizimin e tyre, të njejtat vlerësohen të jenë premtime ad-hoc apo ide, në dukje të parealizueshme dhe të cilat janë të mbushura me deklarata të përgjithshme.
Të gjitha programet janë përsëritje e masave të premtuara në zgjedhjet e kaluara. Këto programe nuk paraqesin asnjë risi ose mënyrë konkrete për adresimin e problemeve sistematike në vend.
GLPS vlerëson që një qasje e tillë, është provë konkrete që partitë politike nuk i kanë të qarta prioritetet e tyre, gjë e cila do vështirësoj qeverisjen e bazuar në prioritete.
GLPS ka bërë analizim e programeve të këtyre partive politike me fokus në fushën e sundimit të ligjit, politikës së jashtme, ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë. Ky vlerësim është i paraqitur në komunikatën e plotë të bashkëngjitur më poshtë.