Programet e partive nuk kanë paraparë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve
Prishtinë, 10 shkurt - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka vlerësuar se programet e partive politike në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit nuk kanë paraparë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në prioritetet e tyre.
Kjo neglizhencë e partive politike ndaj një grupi shoqëror që praktikisht reflekton të gjithë popullatën sipas INDEP është shqetësuese dhe e papranueshme.
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Mbrojtësit e Konsumatorëve u bëjnë thirrje partive politike të sqarojnë pozicionin e tyre karshi të drejtave të konsumatorëve dhe të reflektojnë nevojat e tyre në programet politike për të ardhmen.
Vetëm gjatë vitit 2020, në faqen e Mbrojtësve të Konsumatorëve kemi marrë mbi 200 ankesa nga qytetarët për shkelje të ndryshme gjatë blerjes së produkteve apo shërbimeve.
''Në hulumtimet që kemi bërë mbi zbatimin e Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit ne kemi gjetur mangësi dhe kemi parë nevoja për avancim të legjislacionit në këtë fushë'', deklaron INDEP.
Për më tepër, në sektorët si energjia, nafta, shitja me pakicë e produkteve etj., kemi parë hapësirë për përmirësim në proceset e menaxhimit të ankesave, aftësive të rregullatorëve për të monitoruar subjektet që ata rregullojnë dhe raportit që ndërtohet me konsumatorët.
Shkeljet që bëhen nga blerjet online, veçanërisht në kohën e pandemisë dhe abuzimet me zbritjet, ofertat dhe çmimet kërkojnë zgjidhje përmes politikave publike. Këto politika publike fillojnë të dizajnohen që nga programet politike të subjekteve që garojnë në zgjedhje.
Për fat të keq, në zgjedhjet e sivjetme, si konsumator sipas INDEP nuk do të kemi rastin t’i krahasojmë programet politike, masat që janë paraparë për konsumatorët, afatet kohore, investimet dhe instrumentet e tjera politike.
''Kjo na privon që të bëjmë zgjedhjen bazuar në program dhe të kërkojmë llogari për zbatimin e premtimeve të bëra.''
''Subjektet politike kanë vendosur të injorojnë tërësisht konsumatorin nga agjenda e tyre politike.''
''Por, të drejtat e konsumatorëve janë dhe mbesin prioritete të qytetarëve të Kosovës dhe të agjendës së integrimit evropian'', nenvizon INDEP.
Pa fuqizimin e të drejtave të konsumatorëve INDEP konsideron nuk mund të kemi as zbatim të MSA-së, as absorbim të fondeve nga programi i BE-së IPA III dhe as ekonomi që konkurron në tregun evropian.
''I bëjmë thirrje partive politike që të rishqyrtojnë qasjen e tanishme dhe të shpalosin ide dhe program konkret për të përmirësuar të drejtat e konsumatorëve.''
''I bëjmë thirrje qytetarëve gjithashtu që në tubimet politike të kërkojnë llogari nga politikanët që kërkojnë vota dhe të ngrisin kauzën e konsumatorit. Instituti INDEP do të vazhdoj të monitoroj trajtimin e konsumatorëve sot kur jemi në ditët e fundit të fushatës dhe nesër kur të formohet Qeveria e re'', thekson INDEP.