Procesi i votimit fillon në kohë
Prishtinë, 14 nëntor - Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 90 vëzhgues nëpër qendra të votimit në 21 komuna ku po zhvillohet balotazhi.
Vëzhguesit gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i procesit të numërimit.
Në raudin e dytë, të drejtë vote kanë gjithsej 1,260,571 qytetarë, ose rreth 33% më pak se në raundin e parë. Gjatë ditës së sotme këta qytetarë do të mund të votojnë në 575 Qendra të Votimit, përkatësisht 1638 vendvotime në 21 komuna.
Pëkundër garës së fortë midis kandidatëve që janë në balotazh, të dhënat nga terreni, tregojnë që në afërsi të Qendrave të Votimit, në 98% të rasteve, nuk ka pasur vendosje të posterëve të subjekteve politike apo kandidatëve.
Ashtu siç ishte raportuar edhe në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, rreth ¼-ta e Qendrave të Votimit vazhdojnë të jenë të paqasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike.
Në rreth 90% të hyrjeve të qendrave të votimit, janë parë zyrtarë policorë për të garantuar sigurinë e procesit zgjedhor, ndërsa në raste të izoluara ata janë parë brenda hapësirave të qendrave të votimit, si rezultat i motit të ftohtë.
Sipas vëzhgueseve, 97% të Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID në fuqi janë vendosur në 93% të QV-ve ku po zhillohet balotazhi.
Në anën tjetër, në mëngjes është raportuar se komisionerët janë të pajisur me pajisje personale mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) në mbi 92% të vendvotimeve, ndërsa pajisja me dorëza është në nivelin afër 46%. Vetëm në 3% të Qendrave të Votimit është raportuar se pajisjet mbrojtëse kundër Covid kanë munguar në tërësi.