Procesi i stabilizim-asociimit i rëndësishëm për Kosovën
Prishtinë, 7 shkurt - Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përforcimi i kapaciteteve për ri-integrim, përmirësimi i regjistrave civil, siguria e dokumenteve dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve janë temat kryesore që do të diskutohen në takimin e parë të dialogut të Stabilizim-asociimit (DSA) për këtë vit me temat për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Takimi do të vazhdojë deri të enjten, me 9 shkurt 2012 dhe do te fokusohet në çështjet e definuara si çështje që i përkasin më së shumti Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2011.
Zbatimi i konkludimeve dhe veprimeve pasuese nga takimi do të jenë të një rëndësie të veçantë në përcaktimin e hapave të mëtejmë për Kosovën në procesin e Stabilizim-asociimit të BE-së, me sundimin e ligjit si prioritet kyç dhe një ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballet Kosova.
Samuel hbogar, përfaqësuesi i sapoemëruar special i BE-së dhe udhëheqësi i zyrës së BE-së në Kosovë tha:
"Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave elementare të njeriut janë të rëndësishme jo vetëm për dialogun e Stabilizim-asociimit, por edhe për dialogun e liberalizimit të vizave i cili ka filluar kohët e fundit. Si dhe kur ky proces do të çojë në lëvizjen e lirë pa viza, do të varet nga puna e autoriteteve dhe e shoqërisë kosovare si tërësi. Si gjithmonë, BE-ja është këtu për të ndihmuar dhe ne do të adresojmë edhe sfidat e gjyqësorit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit nëpërmjet dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit, i cili është paralajmëruar nga komisionari Füle në tetor."
"Ky takim do të përqendrohet edhe në progresin e arritur deri tani në fushën e të drejtave elementare dhe në mbrojtjen dhe respektimin e komuniteteve pakicë. Kjo është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, por edhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Siç thonë, një shoqëri gjykohet nga mënyra se si i trajton pakicat e veta".