29 Prill 2025

Prizreni me defekte në zbatimin e ligjit për qasje në dokumente publike

Prizren, 13 korrik - OJQ EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” ka shqyrtuar efikasitetin e Komunës së Prizrenit në lejimin e qasjes në dokumente publike në përputhje me Ligjin përkatës.

Në kuadër të projekteve të saja,  EC Ma Ndryshe përgjatë periudhës janar-qershor 2015 në Komunën e Prizrenit ka deponuar mbi 30 kërkesa për qasje në dokumente publike dhe informata, me ç’rast ka evidentuar vonesa që shkojnë në më shumë se dy javë në ofrimin e përgjigjes, derisa disa kërkesa ende janë pa përgjigje zyrtare.

Ndër dikasteret më të papërgjegjshme për ofrimin e qasjes në dokumentet publike është treguar Drejtoria e Inspektorateve, e cila ka shpërfillur pesë kërkesa të adresuara për çështje të ndryshme duke mos ofruar asnjë përgjigje.

Ndërkohë në raste të caktuara edhe Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk e kanë parë të udhës që të ofrojnë informatat apo sqarimet e kërkuara bazuar në dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.  

Këto të gjetura edhe njëherë tregojnë se përpjekjet e Komunës së Prizrenit për të siguruar qasje në dokumentet publike në përputhje me dispozitat e Ligjit përkatës janë të pamjaftueshme dhe se nevojitet një mobilizim i shtuar për të garantuar këtë të drejtë për kërkuesit e dokumenteve publike.

Po ashtu këto të gjetura janë dëshmi se Komuna e Prizrenit ka hapësirë që të përmirësoj transparencën e saj karshi qytetarëve. Në të njëjtën janë konfirmim i një konstatimi të mëparshëm të EC Ma Ndryshe mbi rrjedhën e ngadaltë të informatave dhe dokumenteve nga të gjitha drejtoritë te Zyra për Informim dhe Komunikim, gjë që sjell deri te mos publikimi i vendimeve në kohë reale dhe mos informimi i duhur i publikut për çështje të ndryshme relevante, por edhe defekte në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Për këtë arsye, EC Ma Ndryshe i bën thirrje edhe njëherë Komunës së Prizrenit që:

- Të zbatoj në përpikëri dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike;

- Të rris transparencën, duke i publikuar të gjitha dokumentet publike në ueb faqen e komunës;

- Të eliminoj vonesat në ofrimin e përgjigjeve lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike; dhe

 - Të informoj zyrtarët dhe shërbyesit civil mbi rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili do të ketë shtrirje në shtatë komunat kryesore të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë. Për ta përpiluar Indeksin e Transparencës Komunale janë dizajnuar 13 grupe indikatorësh të cilët kanë rëndësi të veçantë në vlerësimin e transparencës së komunave dhe vlerësimet për secilën komunë do të bazohen në kritere të njëjta.

Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)