Prizren, anëtarët e LDK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve
Prizren, 29 janar - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar Fletënotimin i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 41 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Korrik-Dhjetor 2012.
Qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Prizrenit të mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2012.
Gjatë hartimit të këtij publikimi dhe notimit të anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit janë marrë për bazë aktiviteti i anëtarëve dhe subjekteve politike në fushat në vijim: Propozim për rend dite, pjesëmarrja në diskutime gjatë seancave, pjesëmarrja në diskutime në emër të grupit të anëtarëve, Inicimi i çështjeve, amandamentimi i legjislacionit, inicimi i rregulloreve, pyetjet parlamentare, mungesa në seanca dhe gjuha jo-parlamentare.
Anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Prizrenit janë: Haziz Hodaj (LDK) me 9.7 %, Masar Shala (PDK) me 9.0 %
Fatmir Memaj (LDK) me 8.8 %.
Anëtarët që nuk kanë treguar asnjë rezultatet në të gjitha kategoritë janë: Ardita Ibrahimi (LDD) me 0.0 %, Shukri Vezaj (LDK) me 0.0 %, Arjeta Nezaj (LDK) me 0.0 %, Sulltan Badallaj (AAK) me 0.0 %, Vjosa Smajlaj (AAK) me 0.0 %.
Anëtarja që ka treguar rezultat negativ në të gjitha kategoritë është Bajrame Tafallari (PDK) me -0.1 %.
Sipas këtyre të dhënave anëtari që ka treguar performancë më të lartë është Haziz Hodaj (LDK) me 9.7 %. 5 anëtarë të Kuvendit të Komunës së Prizrenit asnjëherë nuk kanë diskutuar në foltoren e Kuvendit të Komunës dhe janë vlerësuar me 0% Po ashtu 1 anëtarë i këtij organi ka rezultuar me pikë negative pasi që asnjëherë nuk ka diskutuar dhe ka munguar në njërën nga seancat e mbajtura në këtë periudhë.
Gjatë pesë seancave të mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2012, nga anëtarët e Kuvendit e Komunës në Prizrenit janë ngritur gjithsej 222 çështje, prej të cilave 42 % nga fusha me interes për qytetarët e Prizrenit ndërkaq 58 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit.
Në Kuvendin e Komunës së Prizrenit anëtarët e LDK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 37.4 %, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së dhe LDD-së me 29.3 % përkatësisht 9.5 % të çështjeve të ngritura.
Gjatë pesë seancave të mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2012, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit që kanë shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura janë: Haziz Hodaj (LDK) me gjithsej 9.9 % dhe Fatmir Memaj (LDK) me 9.0 % të çështjeve të ngritura.
Në pesë seancat të mbajtura në Kuvendin e Komunës së Prizrenit gjatë periudhës Korrik-Dhjetor 2012 ky institucion ka shqyrtuar dhe miratuar Rregulloren për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2013.
Gjatë kësaj periudhe Masar Shala (PDK) ka propozuar për miratim pranë këtij institucioni Rregulloren për Pyetjet dhe Përgjigjet e anëtarëve tha Naim Cahani përfaqësues i KDI-së.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit gjatë pesë seancave të mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2012 kanë bërë gjithsej 42 pyetje nga të cilat gjithsej 48 % kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve të Komunës së Prizrenit ndërsa 52 % e pyetjeve kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit.
Anëtarët e PDK-së dhe LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe me nga 23.8 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e LDD-së dhe AAK-së me nga 21.4 % përkatësisht 9.5 % të pyetjeve të përgjithshme.
Anëtaret më aktiv në Kuvendin e Komunës së Prizrenit gjatë periudhës Korrik-Dhjetor 2012 në parashtrimin e pyetjeve kanë qenë Sefer Rexhaj (LDD) me 14.3 % dhe Haziz Hodaj (LDK) me 9.5 % të pyetjeve të përgjithshme.
Në Kuvendin e Komunës së Prizrenit në pesë seancat e mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2012 është vërejtur mos prezencë e anëtarëve në seanca. Në këtë periudhë janë shënuar 10 raste të mungesës së anëtarëve në seancat e këtij institucioni. Nora Murataj (PD) dhe Bajrame Tafallari (PDK) kanë shënuar numrin më të madh të mungesave në seancat e Kuvendit të Komunës së Prizrenit.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit gjatë seancave të mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2012 kanë përdorur gjuhë joparlamentare e cila ka qenë fyese për anëtarët tjerë dhe institucionin. Masar Shala (PDK) dhe Xhavit Ukaj (LDK) në njërën nga seancat e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë përdorë gjuhë jo-parlamentare e cila ka qenë fyese për ta dhe vetë institucionin- tha Arben Hoxha përfaqësues i KDI-së.
Fletënotimi për periudhën Korrik-Dhjetor 2013 është përgatitur në kuadër të projektit Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC).