02 Maj 2024

Pritet ndërrimi i ambasadorëve

Prishtinë, 3 tetor - Kryediplomati Enver Hoxhaj ka thënë se ka ardhur koha të ketë lëvizje në shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës.

Ai ka deklaruar se kjo lëvizje e shërbimit diplomatik nënkupton se disa nga ambasadorët aktualë mund të kthehen për të punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Prishtinë, disa të tjerë të lëvizin nga një ambasadë në tjetrën, kurse disa të tjerë mund të zëvendësohen me ambasadorë të rinj.

“Nuk mund të flas për atë se a do të ketë emërime apo shkarkime, por do të ketë një procedurë të rregullt të lëvizjes së vendeve e të pozitave të ambasadorëve në përputhje me ligjet në fuqi që ka Republika e Kosovës”, ka thënë për “Epokën e re” ministri Hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se do të ketë lëvizje në shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës. Në një prononcim për “Epokën e re”, Hoxhaj ka thënë se MPJ-ja ka përgatitur raporte të detajuara për performancën e punës për të gjithë ambasadorët e Kosovës.


Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se do të ndodhin lëvizje të ambasadorëve të Kosovës që aktualisht janë të akredituar nëpër vende të ndryshme evropiane. “Kemi raporte të detajuara për performancën e të gjitha ambasadave tona. Mendojmë se lëvizjet e ambasadorëve duhet të bëhen përbrenda një sistemi të shërbimit diplomatik. Nuk e përjashtoj mundësinë që disa ambasadorë të kthehen në Ministrinë e Punëve të Jashtme, disa të tjerë të lëvizin brendapërbrenda ambasadave, por mund të ketë edhe emërime të ambasadorëve të rinj”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se ka pasur arsye që MPJ-ja nuk ka bërë lëvizje të shërbimit deri në këtë kohë. “Energjia jonë kryesore nuk ka qenë e koncentruar brendapërbrenda sistemit tonë. Energjia kryesore ka qenë përfaqësimi i fuqishëm i Kosovës jashtë vendit që kemi të bëjmë me politikën e jashtme”, ka thënë Hoxhaj. Ai ka deklaruar se MPJ-ja nga fillimi i këtij viti ka qenë e fokusuar të bëjë një diplomaci aktive për të përfituar sa më shumë njohje të reja. “Gjatë vitit 2011 kemi qenë shumë të fokusuar që ta kemi një politikë të jashtme shumë aktive. Të jemi të pranishëm në çdo cep të botës. Kemi bërë përpjekje të lëvizim në kontinente të ndryshme, që të takojmë personalitete të ndryshme për ta prezantuar shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.

Sipas tij, lëvizja e shërbimit diplomatik të Kosovës do të ketë sukses vetëm atëherë kur shërbimin diplomatik e kuptojnë të gjithë si një tërësi të përbashkët. “Padyshim se këto reforma do të ndodhin. Shërbimi diplomatik nënkupton një tërësi dhe tërësia është se Ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadat e përfaqësojnë një sistem të përbashkët.

Dikush nga Ministria e Jashtme mund të shkojë në ndonjë ambasadë dhe dikush tjetër nga ambasada mund të kthehet në ministri. Apo nga një ambasadë mund të lëvizin në ambasadën tjetër. Ne mendojmë se është koha e duhur që ndryshimet e tilla të ndodhin”, është shprehur Hoxhaj.

I pyetur nëse do të ketë edhe shkarkim të ndonjë ambasadori, kryediplomati Hoxhaj ka thënë se gjithçka do të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi që ka Republika e Kosovës. “Nuk mund të flas për atë se a do të ketë emërime apo shkarkime, por do të ketë një procedurë të rregullt të lëvizjes së vendeve, pozitave të ambasadorëve në përputhje me ligjet në fuqi që ka Republika e Kosovës. Ne si Ministri e Punëve të Jashtme ia propozojmë kryeministrit të vendit, qeveria ia propozon presidencës dhe në këtë formë ndodhin lëvizjet përbrenda sistemit diplomatik”, ka thënë Hoxhaj.

Megjithatë, ministri Hoxhaj ka thënë se disa prej ambasadorëve e kanë kryer misionin e tyre shkëlqyeshëm, por, sipas tij, ka edhe të atillë që nuk kanë qenë shumë aktivë në shërbimin diplomatik. “Mendoj se disa nga ambasadorët kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, por ka të tillë të cilët duhet të jenë më aktivë, më dinamikë në punë”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka paralajmëruar se shumë shpejt do të bëhet edhe emërimi i ambasadorëve në Shqipëri dhe Slloveni. “Plotësimi i këtyre vendeve duhet të ndodhë në përputhje me një vlerësim, procedurë dhe në përputhje me propozimet që do të dalin nga Qeveria drejtuar Presidencës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ambasadorët aktualë të Republikës së Kosovës

Avni Spahiu, ambasador i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Muhamet Hamiti, ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar
Ilir Dugolli, ambasador i Republikës së Kosovës në Belgjikë
Vilson Mirdita, ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani
Naim Malaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër
Sabri Kiqmari, ambasador i Republikës së Kosovës në Austri
Bekim Sejdiu, ambasador i Republikës së Kosovës në Turqi
Muhamedin Kullashi, ambasador i Republikës së Kosovës në Francë
Albert Prenkaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Itali
Nexhmi Rexhepi, ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës
Lulzim Peci, ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë
Arjana Zherka Hoxha, ambasador i Republikës së Kosovës në Bullgari
Valdet Sadiku, ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci
Shkendije Sherifi, ambasador i Republikës së Kosovës në Hungari
Sami Ukelli, ambasador i Republikës së Kosovës në Japoni
Skënder Durmishi, ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoni
Hilmi Zogjani, ambasador i Republikës së Kosovës në Çeki
Rexhep Boja, ambasador i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite
Ambasada e Republikës së Kosovës në Shqipëri
Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni


Gjeneral Sylejman Selimi ambasador në Shqipëri

Burime të gazetës brenda Qeverisë kanë bërë me dije se gjenerallejtënant Sylejman Selimi, pas përfundimit të mandatit si komandat i FSK-së, do të emërohet ambasador i Kosovës në Shqipëri. Ky burim ka treguar se janë më shumë se dhjetë emra personalitetesh në garë për t’u emëruar ambasadorë në Republikën e Sllovenisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)