Princ Michael i Kentit viziton Republikën e Kosovës
Prishtinë, 2 qershor - Lartmadhëria e Tij Princi Michael i Kentit, së bashku me një delegacion të biznesmenëve dhe investitorëve të njohur nga Britania e Madhe, do ta vizitojnë Republikën e Kosovës prej datës 3 deri me 5 qershor. Vizita është organizuar nga Oda Ekonomike Britanike në Kosovë e ndihmuar dhe përkrahur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Gjatë vizitës në Kosovë, Princi Michael dhe delegacioni i tij, do të priten nga krerët më të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës, ministrat e kabinetit qeveritar si dhe afaristë dhe partnerë të tjerë nga Kosova.
Delegacioni afarist që shoqëron Princin Michael do të interesohet për mundësi investimi në Kosovë në fusha të ndryshme si në telekomunikacion, miniera, energjetikë, turizëm dhe fusha të tjera si dhe do të bëjë vizita në disa zona ekonomike dhe industriale të Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dëshiruar personalisht mirëseardhje në Kosovë princit Michael dhe delegacionit të tij gjatë një bisede të sotme telefonike me të.