Prezentohen rezultatet e UNDP-së 2011 - 2013
Prishtinë, 2 korrik - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ministria e Integrimit Evropian do të drejtojnë një takim ku do të prezentohen rezultatet e arritura të UNDP-së gjatë periudhës 2011 2013.
Znj. Osnat Lubrani, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së dhe Znj. Vlora Çitaku, Ministre e Integrimit Evropian do të jenë bashkënikoqire të ngjarjes ku do të mblidhen përfaqësues të qeverisë qëndrore dhe lokale të Kosovës, donatorë, komuniteti ndërkombëtar, shoqëria civile, mediat dhe palë të tjera të interesit.
Në mesin e tyre edhe Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petrović, Zëvëndës Kryeministër dhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Mahir Yağcilar, Ministër i Administratës Publike.
Udhërrëfyes për punën e Programit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë është Plani i Veprimit i Programit për Kosovën 2011-2015 i cili identifikon prioritetet dhe rezultatet e pritura për secilën fushë.
Ky takim do ti dedikohet prezentimit dhe diskutimit të rezultateve të arritura gjatë dy viteve te para. Konkluzionet edhe rekomandimet që do të dalin nga ky rishikim, të kryera me institucionet me të cilat bashkëpunojmë, donatorët dhe palët e interesit, do të shërbejnë për të përditësuar ose përshtatur kornizën tonë programore për vitet në vijim.