Prezantohet publikimi për përfitimet e Kosovës në zgjerimin BE-së

Prishtinë, 20 shkurt - Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur organizon konferencën “Momenti i ri i zgjerimit në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova”.
Kjo konferencë do të mbledhë së bashku diplomatë, politik-bërës, përfaqësues nga mediat dhe shoqëria civile.
Qëllimi i kësaj konference është që t’i vihet fokusi i merituar rrugëtimit të Kosovës në integrimin evropian në kohën kur vendi është duke e shënuar dhjetëvjetorin e shtetësisë së tij.
Meqë 2018 është viti i fundit i mandatit të këtij Komisioni të udhëhequr nga Jean Claude Juncker, ka pritshmëri për një angazhim të përtërirë të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor si dhe për një dinamikë më të fuqishme të procesit të zgjerimit.
Në këtë ngjarje, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Augustin Palokaj dhe Gjeraqina Tuhina, do të prezantojnë publikimin “Momenti i ri për zgjerimin në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova”.
Ky publikim do të shërbejë si udhëzues në diskutimin e strategjisë së Komisionit Evropian për ri-afirmimin e procesit të zgjerimit, si dhe zhvillimeve tjera që priten në vitin 2018.
Pjesë e panelit të diskutimit do të jenë: Sh. S. Nataliya Apostolova, Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimit Europian dhe Venera Hajrullahu nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.