Prezantohet këndvështrimi qytetarë për dialogun Kosovë-Serbi
Prishtinë, 30 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizon konferencën për media ku do të shpalosen rezultatet e hulumtimit të realizuar me qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me procesin e dialogut Kosovë - Serbi.
Në këtë konferencë do të shpaloset publikimi Transparenca e dialogut Kosovë-Serbi: këndvështrimi i qytetarëve, me rezultatet e dalura nga hulumtimi i opinionit publik rreth transparencës, llogaridhënjes dhe informimit të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës rreth procesit të dialogut.
Disa nga aspektet kryesore që ka trajtuar ky hulumtim janë njohuritë e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nivelin e kënaqshmërisë me punën e deputetëve në mbikqyrjen e Qeverisë në procesin e dialogut, përfshirjen e tyre në këtë proces, informimin lidhur me mbarëvajtjen e dialogut si dhe gatishmërinë e qytetarëve për të kontribuar për temat e dialogut.
Këto janë disa nga çështjet me të cilat KDI u është drejtuar qytetarëve të Kosovës për të mësuar më shumë rreth relacionit që ata kanë ndërtuar me dialogun Kosovë-Serbi, në një kohë kur kanë kaluar 5 vite nga fillimi i këtij procesi, kur skena politike është tejet e polarizuar rreth procesit të dialogut dhe kur është paralajmëruar një fazë e re e dialogimit Kosovë-Serbi.
Konferenca për media do të mbahet duke filluar nga ora 11:00, në zyret e Institutit Demokratik të Kosovës, rr.Bajram Kelmendi, nr.45, në Prishtinë.