Prezantohen rezultatet e sondazhit për Dialogun Kosovë-Serbi
Prishtinë, 20 janar - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizon konferencën për media në të cilën do të prezantohen rezultatet e sondazhit për Dialogun Kosovë-Serbi: Dialogu dhe marrëveshjet në sytë e qytetarëve.
Konferenca mbahet sot duke filluar nga ora 11:00, në zyrat e KDI-së.
Ndërkaq shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i ka ftuar përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit në një takim të nivelit të lartë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, më 24 janar në Bruksel.
Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se "zhvillimet e ditëve të fundit kanë shtruar nevojën e një përkushtimi dhe angazhimi të shtuar nga të dyja palët në bisedime. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i një rëndësie të madhe për të dyja palët, për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin perëndimorë në tërësi".