Prezantohen praktikat britanike në përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhje
Prishtinë, 25 mars - Fondacioni i Uestminster për Demokraci organizon punëtorinë për “Procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve të partive politike në Britani të Madhe”.
Pjesëmarrës në këtë punëtori do të jenë përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe ekspertë.
Fjalë hyrëse do të mbajë znj. Valdete Daka, Kryetare e KQZ-së dhe Sam Paice, Shef i Seksionit për Demokratizim në Ambasadën Britanike në Kosovë.
Punëtoria do të moderohet nga Jo Silvester, profesoreshë universitare nga Britania e Madhe.
Znj. Silvester ka punuar afër me partitë politike britanike për zhvillimin e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve të tyre dhe ka publikuar punime akademike në këtë drejtim.
Kjo punëtori ka për qëllim prezantimin e praktikave të aplikuara nga partitë politike britanike në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët garojnë në zgjedhje.
Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është i vazhdueshëm dhe kontribuon në demokratizimin e partive politike, rritjen e diversitetit të kandidatëve, identifikimin e anëtarëve të partisë me shkathtësi specifike, rritjen e pjesëmarrjes dhe konsultimit brenda-partiak, si dhe evitimin e pakënaqësive gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për lista zgjedhore.