19 Maj 2024

Preteni kërkon debat për rastet nën hetime të korrupsionit

Prishtinë, 12 mars - Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka propozuar të hënën që raste konkrete të hetimeve të diskutohen në prani të politikanëve.

Preteni ka thënë se ky diskutim duhet të bëhet në Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, por pa praninë e medieve dhe publikut, ndonëse temë diskutimi mund të jenë vetë diskutuesit.

“Mendoj se duhet të bisedohet konkretisht për problemet konkrete, ndoshta edhe për raste që po hetohen dhe problemet që janë në lidhje me mosngritjen e aktakuzave apo mosgjykimin e disa rasteve. Për këto rate e vlerësoj të panevojshëm prezencën e medieve. Publikimi mund të rrezikojë proceset”, ka thënë Preteni, shkruan “Koha Ditore”.

Preteni këtë propozim e ka bërë që tema të hetimeve të bëhen në prani të presidentes, kryeministrit, kryeparlamentarit, ministrave e shoqërisë civile. Këtë përbërje ka Këshilli i formuar më 15 shkurt të vitit të kaluar nga Jahjaga.

Ndërkohë presidentja Atifete Jahjaga vazhdon ta mbrojë vendimin e saj të 15 shkurtit të vitit të kaluar për themelimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Zyra e presidentes ka deklaruar të hënën se që nga themelimi i tij një vit më parë, janë mbajtur katër takime në të cilat janë identifikuar “sfidat për luftimin e korrupsionit”, është nxjerrë një raport dhe disa përfundime se si duhet të luftohet korrupsioni.

“Efektet e Këshillit janë përmirësimi i bashkërendimit të aktiviteteve të institucioneve që janë të mandatuara të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ka thënë zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu. Ai u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të “Kohës Ditore” për këtë çështje pos njërës.

Pyetjes se “a është politika pengesë në luftimin e korrupsionit”, Presidenca nuk i është përgjigjur.

Kosova konsiderohet si njëra prej vendeve më të korruptuara në rajon. Raporti i Transparency International (TI) mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012 e ka renditur Kosovën në vendin e 105-të nga 176 vende të përfshira në këtë raport.

Më keq se Kosova në rajon është vetëm Shqipëria. Kosova është listuar në vendin e 105-të, në të njëjtin rang me shtete si Gambia dhe Mali.

Takimi i fundit i KKKK-së është mbajtur më 21 dhjetor të vitit të kaluar. Derisa presidentja Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi patën thënë se lufta kundër korrupsionit ka shënuar përparim, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pati thënë se korrupsioni shihet nga aeroplani.

Ndonëse Prokuroria ka autorizimet ligjore për luftimin e kriminalitetit, kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, ka refuzuar të flasë për punën e Këshillit në të cilin bënë pjesë edhe ai. Në vend të kësaj prokuroria ka ofruar statistika të punës së saj gjatë vitit 2012.

Në përgjigje me shkrim Prokuroria ka thënë se të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2012, kanë pasur në punë 643 kallëzime penale me 1670 persona, që kanë të bëjnë me veprat penale krimi i organizuar që lidhet me korrupsionin.

“Nga numri i kallëzimeve në punë, 267 kallëzime penale me 802 persona kanë qenë të pazgjidhura në fillim të vitit, ndërsa 376 kallëzime penale me 868 persona janë pranuar në punë gjatë vitit 2012”, thuhet në këtë përgjigje.

Prokuroria ka thënë se nga 643 kallëzime penale që kanë qenë në punë, prokuroritë kanë zgjedhur 366 kallëzime penale me 770 persona, kurse në fund të periudhës raportuese kanë mbetur të pazgjidhura 277 kallëzime me 900 persona.

“Edhe gjatë këtij viti prokurorët e shtetit janë të përkushtuar ta luftojnë krimin e organizuar-korrupsionin pa dallime në të gjitha nivelet”, ka deklaruar Prokuroria.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)