Presidentja t'i kërcënojë partitë me zgjedhje
Prishtinë, 20 shtator - Ndërhyrja e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, në zgjidhjen e ngërçit politik në të cilin është futur vendi pas zgjedhje parlamentare të 8 qershorit, po vlerësohet e drejtë.
Mirëpo nga presidentja tani po kërkohet që ndërhyrja e saj mos të bëhet vetëm sa për sy e faqe, por të provohet në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët.
Të enjten pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, shefja e shtetit Atifete Jahjaga ka ftuar në takim liderët e partive politike ku ka dëgjuar propozimet e tyre për dalje nga situata e krijuar në vend.
Pas përfundimit të takimeve, presidentja ka vlerësuar se dalja nga kriza politike është në dorë të deputetëve të Kosovës.
Sidoqoftë, njohës të çështjeve politike, presin që ndërhyrja e presidentes të japë rezultat.
Sipas tyre, nuk duhet një përpjekje pro forma, por angazhim dhe kërcënim i partive politike me zgjedhje në rast të mungesës së marrëveshjes.
/Tribuna/