Presidentja Osmani takoi Presidenten e Singaporit, Halimah Yacob
Singapor, 27 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës së punës në Singapor është pritur në takim nga Presidentja e Singaporit Halimah Yacob.
Pavarësisht distancës së largët gjeografike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar për intensifikimin e marrëdhënieve me këtë shtet të Azisë Juglindore, sidomos duke e ditur potencialit e bashkëpunimit tregtar.
Në kontekst të thellimit të marrëdhënieve më këtë shtet, Presidentja Osmani ka potencuar se Singapori ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në teknologji si dhe në fushën e mbrojtjes, ndaj ka shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim të fokusuar në këto fusha.
Ky bashkëpunim sipas Presidentes Osmani duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera, si ajo e arsimit, energjisë, e shumë fusha të tjera.
Presidentja poashtu prezentoi potencialin e Kosovës, si një mundësi për investime nga Singapori dhe në këtë kontekst përmendi, ndër të tjera popullsinë e re dhe dinamike, tregun e punës me kosto efektive dhe incentiva të shumta për investitorët e huaj.
Në këtë takim mori pjesë edhe ministrja e Shtetit për Zhvillim dhe Politikë të Jashtme, znj. Sim Ann.