Presidentja Osmani priti ambasadoren e Finlandës, Pia Stjernvall
Prishtinë, 13 shtator - Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani, u takua me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Finlandës.
Presidentja Osmani ia shprehu mirënjohjen e saj shtetit dhe popullit finlandez për përkrahjen e vazhdueshme të cilën ia ka ofruar Kosovës dhe u shpreh e lumtur për raportin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve.
“Qeveria finlandeze”, - tha presidentja Osmani, “e ka përkrahur në vazhdimësi Kosovën. Pres që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej, në fusha të rëndësishme, siç janë: arsimi, shëndeti publik, politikat rinore, por edhe në procesin e integrimit më të shpejtë të vendit tonë në strukturat euroatlantike”.
Ndërkohë, ambasadorja i Finlandës, znj. Stjernvall, ritheksoi gatishmërinë e shtetit të saj për ta vazhduar bashkëpunimin e mëtejmë. Finlanda, sipas saj, do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në shumë fusha.