Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori japonez
Prishtinë, 22 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Japonisë, Ryuta Mizuuchi, i cili ia përcolli urimet e Perandorit Naruhito për 15-vjetorin e pavarësisë.
Në takim më ambasadorin Mizuuchi, Presidentja Osmani theksoi se Japonia është një aleate dhe partnere e besueshme e Kosovës.
Presidentja Osmani falënderoi Japoninë për mbështetjen e deritashme, duke potencuar rëndësinë e kësaj mbështetjeje përderisa Kosova vazhdon angazhimin drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi lartë edhe kontributin e Japonisë dhe mbështetjen e ofruar Kosovës në fushën e mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, mediave, si dhe mbështetjes së rinisë përmes bursave dhe programeve për shkollim e avancim.
Në takim u diskutua për mundësitë e shumta të intensifikimit të bashkëpunimit bilateral. Presidentja Osmani theksoi se ka potencial të madh për investime të mëtejshme të investitorëve japonez në fusha si teknologjitë e rinovueshme, turizmi malor, infrastrukturë, arsim, teknologji informative dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
Presidentja Osmani potencoi se Japonia ka qenë dhe mbetet një shtet mik dhe aleat strategjik i Kosovës, ndërsa me ambasadorin Mizuuchi u dakorduan për koordinim të ngushtë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit.