Presidentja nuk do ti drejtohet Kushtetueses për pikën 127
Prishtinë, 21 tetor - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u ka kthyer deputetëve të komuniteteve pakicë përgjigjen në lidhje me kërkesën e tyre për sqarime shtesë rreth pikës 127 të Gjykatës Kushtetuese.
Në përgjigjen e presidentes thuhet se duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dy vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin e Presidentes si faktor i unitetit të popullit, e vlerësoj kërkesën, por konsideroj se zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit kushtetues.
Përgjigjia e plotë:
Të nderuar,
Kam pranuar kërkesën tuaj me numër protokolli 792 të dorëzuar në Zyrën e Presidentes më 20 tetor 2014, me të cilën kërkoni që ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese për sqarim të pikës 127 të vendimit të Gjykatës KO119/14.
Duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dy vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin e Presidentes si faktor i unitetit të popullit, e vlerësoj kërkesën tuaj, por konsideroj se zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit kushtetues.
Roli i Presidentit të Republikës së Kosovës bazohet në garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve, duke ruajtur gjithnjë parimin e ndarjes së pushteteve dhe mbi të gjitha duke ruajtur paanësinë në raport me partitë politike.
Zgjidhja për nyjën institucionale është përgjegjësi e deputetëve të zgjedhur me votën e qytetarëve të Kosovës dhe gjithashtu edhe e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në respektim të Kushtetutës së Kosovës.
Ndërtimi i institucioneve të vendit bazohet mbi parimet kushtetuese dhe gjithëpërfshirja, në këtë rast e komuniteteve të Kosovës, është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligje.
Në kohën kur po e testojmë demokracinë tonë të brendshme dhe gjithashtu edhe pjekurinë tonë politike, duke mos dashur që të sfidojmë procedurat e mëtejme ligjore, që do të mund të zvarrisin gjithë procesin e ndërtimit të institucioneve dhe të thellojnë ndasitë e krizat, është përgjegjësi dhe obligim i deputetëve të Kuvendit që me mirëbesim, mirëkuptim, me kompromis si pjesë e kulturës së dialogut, të gjejnë zgjidhjen e cila do të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse.