Presidentja Jahjaga vizitoi komunën e Shtimes
Shtime, 7 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Shtimes, njëra nga komunat më të prekura nga vërshimet e ditëve të fundit.
Fillimisht Presidentja Jahjaga u prit nga kryetari i kësaj komune, Naim Ismajli, i cili e njoftoi me gjendjen e përgjithshme në komunë pas reshjeve të shtuara të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar mjaft dëme në shumë fshatra të Shtimes, si dhe për angazhimin e Institucioneve komunale për tiu dalë në ndihmë banorëve të dëmtuar.
Më pas, Presidentja Jahjaga vizitoi fshatrat Davidovc, Rashincë e Muzeqinë ku pa nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe bisedoi me banorët, shtëpitë dhe pronat e të cilëve kanë pësuar nga vërshimet.
Në një deklaratë bërë me këtë rast, Presidentja Jahjaga:
Kam ardhur këtu që të vizitoj komunën e Shtimes, së bashku edhe me kryetarin, që të jem afër qytetarëve tanë. U njoftova për së afërmi nga kryetari i komunës për gjendjen e cila ka qenë këtyre ditëve të fundit nga reshjet, për dëmet që janë shkaktuar në komunën e Shtimes. Unë po ashtu gjatë ditës së djeshme jam dëgjuar me telefon me kryetarin, por edhe me kryetarë të tjerë të komunave, të Gjakovës, Lipjanit dhe komunave të tjera.
Gjithashtu, kam biseduar edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të vlerësuar nivelin e gatishmërisë së sektorit të emergjencave dhe të reagimit të shpejtë nga ana e FSK-së, të shohim për së afërmi dhe të kemi një përkujdesje më të madhe ndaj qytetarëve tanë. Por kjo po tregon edhe një mesazh tjetër, sepse ne duhet të kemi një kujdes më të madh në aspektin e ruajtjes së lumenjve tanë dhe veçanërisht të shtratit të tyre.