Presidentja Jahjaga, vegël e PDK-së
Prishtinë, 5 prill - As vetë kur ka dëgjuar se po bëhet presidente, nuk ka besuar që në karrigen e kreut të shtetit do të qëndrojë dy vjet. Kjo për faktin se marrëveshja për zgjedhjen e saj ishte njëvjeçare. Por, presidentja Atifete Jahjaga, më 7 prill i bën dy vjet të ushtrimit të funksionit më të lartë politik në Kosovë.
Gjatë ushtrimit të deritashëm të mandatit të presidentes, ajo u përball, veç tjerash, edhe me ikje të stafit këshillëdhënës ku njerëzit kryesorë që e këshillonin në fillim të mandatit, e braktisën me arsyetimin se nuk kishin hapësirë për të vepruar në Zyrën më të lartë të shtetit, shkruan Tribuna.
Puna e deritashme e Jahjagës shihet në forma të ndryshme nga partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, deputetët e të cilave ia dhanë besimin ditën e zgjedhjes.
Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, mendon se për këto dy vjet, presidentja e ka përmbushur detyrën e saj kushtetuese.
Për këto dy vjet, vendi ynë, duke përfshirë kontributet e të gjitha institucioneve, pra edhe të presidentes, ka reflektuar stabilitet, qëndrueshmëri dhe kjo i atribuohet, veç tjerash, edhe presidentes së vendit. Pavarësisht të gjithave, presidentja e vendit ka gjetur edhe mbështetje të madhe politike, jo vetëm nga PDK si lidere politike në vend por edhe nga partitë e tjera dhe nga qytetarët, ka thënë Pajaziti.
Deputetja e Koalicionit për Kosovë të Re, Myzeje Selmani, ka thënë se Jahjaga nuk ka bërë shumë punë.
Ajo erdhi si rezultat i marrëveshjes së tre liderëve për ta udhëhequr vendin për një vit, deri në organizimin e zgjedhjeve të reja presidenciale, mirëpo pas vendimit famoz të Gjykatës Kushtetuese se ajo duhet të vazhdojë të qëndrojë në postin e saj, mund të themi se ka qenë më shumë një presidente në heshtje, e cila ka kryer pozicionimin e vet duke pritur burrështetas të vendeve që kanë ardhur në Kosovë, tha ajo.
Vlerësim negativ, presidentja ka marrë sidomos nga përfaqësuesit e partive opozitare. Madje, ata e kanë cilësuar si vegël të PDK-së në Presidencë.
Vlerësimi im për punën e presidentes është i njëjtë sikur vlerësimi im për punën e kryeministrit Hashim Thaçi...Puna e presidentes ka reflektuar fatkeqësisht vetëm e vetëm interesin e PDK-së, tha për Tribunën, Vjosa Osmani.
Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca e ka vlerësuar punën dyvjeçare të Jahjagës si jo të suksesshme në interes të Kosovës, duke kujtuar takimin e saj me presidentin serb, Tomislav Nikolic.