Presidentja Jahjaga vazhdon takimet me liderët politikë

Prishtinë, 16 tetor - Presidentja, Atifete Jahjaga edhe për sot ka paralajmëruar se do të vazhdoj takimet me liderët partiak, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për të dal nga ngërçi politik.
Jahjaga sot do të takohet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa si dhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Derisa dje ajo në takime të ndara priti kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të cilët bisedoi për mënyrat e zgjidhjes së situatës së krijuar me ndërtimin e institucioneve të vendit.
Presidentja Jahjaga dje theksoi se i gjithë procesi lehtësues i diskutimeve me liderët politikë po bëhet me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për ndërtimin e institucioneve dhe bazuar në gjithë kuadrin kushtetues të vendit.
Ajo tha se do të vazhdojë të luaj rolin e unitetit të popullit, duke ruajtur paanësinë nga çdo ndikim partiak dhe duke ndihmuar që të ndërtohen institucione të qëndrueshme të shtetit, që do të marrin përsipër obligimet dhe përgjegjësitë për proceset në të cilat ndodhet vendi.
Ajo tha se në rolin e saj kushtetues të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve kërkon nga liderët e të gjitha partive politike parlamentare dhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të gjejnë zgjidhje më shpejt për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, për të shmangur çdo mundësi të futjes së vendit qoftë në krizë më të thellë, qoftë në zgjedhje të parakohshme.