Presidentja Jahjaga uroi Presidentin Obama
Prishtinë, 7 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga uroi sot z.Barack Obama, me rastin e rizgjedhjes së tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në urim thuhet:
I nderuari President Obama,
Më lejoni që në emër të popullit të Republikës së Kosovës dhe emrin tim personal tju uroj rizgjedhjen si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përgëzojmë popullin amerikan për përkushtimin që ta realizojnë të drejtën e votës duke qenë pjesëmarrës në forcimin e demokracisë dhe idealeve që shquajnë vendin tuaj. Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë frymëzim për të gjithë ne që punojmë për krijimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, prosperuese dhe ndërtimin e demokracisë së mirëfilltë.
Kjo më së miri dëshmon besimin që qytetarët amerikanë kanë për vizionin tuaj dhe për punën e palodhshme për të shtyrë përpara reformat në SHBA dhe për të forcuar paqen dhe stabilitetin në botë duke promovuar vlerat amerikane që garantojnë një të ardhme më të sigurt.
Republika e Kosovës është një aleat dhe partner i përkushtuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të angazhohemi fuqimisht që të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve dhe popujve tanë edhe më tutje. SHBA-të kanë luajtur rol vendimtar për lirinë dhe të drejtën e qytetarëve të Republikës së Kosovës të vendosin për fatin e tyre. Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, të udhëhequra nga ju, kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, avancimin e proceseve demokratike dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Duke ju dëshiruar sukses në mandatin e ri, ju përgëzoj edhe një herë për fitoren dhe mirëpres mundësinë që këto urime tua përcjell personalisht në muajt në vijim.