Presidentja Jahjaga uroi Presidentin Bujar Nishani
Prishtinë, 26 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka uruar Presidentin Bujar Nishani, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë.
Në urim thuhet:
Shkëlqesia Juaj President Nishani,
Kam nderin e veçantë tju shpreh urimet më të përzemërta, të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë Tuaj dhe popullit shqiptar.
"Në këtë ditë të kremtimeve, Ju përcjell përgëzimet për përparimin e vazhdueshëm që Shqipëria po bën drejt ofrimit të mundësive të mëdha për qytetarët e saj dhe përkushtimin e treguar në forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë me të gjitha vendet fqinje, që ndihmon paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore", thuhet në urimin e Ppresidentes Jahjaga.
"Jam e bindur që nën udhëheqjen Tuaj, institucionet e vendit dhe qytetarët e Shqipërisë, do të vazhdojnë përparimin me hapa të shpejtë në rrugën e integrimeve evropiane. Në këtë rrugë të përbashkët tonën, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve është themeli i prosperitetit të vendeve tona, si dhe i të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit", thuhet në urim.
Mbetem e përkushtuar që të forcojmë marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi ndërmjet dy vendeve tona, në të mirë të së ardhmes së qytetarëve tanë.
"Duke Ju uruar dhe një herë për Ditën e Pavarësisë, Ju shpreh konsideratat e mia më të larta", thuhet në urimin e presidentes Jahjaga, dërguar Presidentit Bujar Nishani.