Presidentja Jahjaga u takua me Presidentin kroat, Ivo Josipoviq
Zagreb, 6 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u prit sot në takim nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq, me ftesë të të cilit po qëndron në vizitë zyrtare në Kroaci.
Presidentja Jahjaga, në vizitën zyrtare në Kroaci është e shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, ministrja e integrimeve evropiane Vlora Citaku dhe ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj..
Siç ka njoftuar presidenca kroate, temë e bisedimeve ishin marrëdhëniet e dyanshme Koraci Kosovë, mbështetja e Kroacisë në rrugën e Kosovës për në Bashkimin Evropian, përmirësimi i raporteve ekonomike, situata në rajon, pozita e pakicës kroate në Kosovë dhe ajo e shqiptarëve të Kosovës në Kroaci.
Para disa ditësh, duke e komentuar vizitën e presidentes së Kosovës në Zagreb dhe marrëdhëniet e Kroacisë me Serbinë, presidenti Josipoviq tha se vendi i tij udhëheq politikë në të cilën fakti se e ka njohur Kosovën, nuk i zvogëlon raportet me Serbinë.