Presidentja Jahjaga u kthye nga vizita në Gjermani
Prishtinë, 3 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u kthye sot nga vizita në Munich të Gjermanisë, ku mori pjesë në Konferencën e 49-të për Siguri.
Gjatë pjesëmarrjes në konferencë, në të cilën morën pjesë shumë liderë shtetesh dhe personalitete të larta nga e gjithë bota, Presidentja Jahjaga zhvilloi një varg takimesh të rëndësishme.
Presidentja Jahjaga zhvilloi një takim me zëvendëspresidentin e SHBA-së, Joseph Biden, me të cilin diskutoi një varg çështjesh të rëndësishme.
Ajo bashkëbisedoi me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Ueli Maurer, sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, kongresisten amerikane dhe drejtoreshë e Qendrës Woodrow Wilson, Jane Harman, ish-zëvendësndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan.
Po kështu, zonja Jahjaga zhvilloi takime edhe me Miroslav Lajçak, zëvendëskryeministër e ministër i jashtëm i Sllovakisë, Presidentin e Republikës së Kroacisë, zotëri Ivo Josipoviq, ministrin e punëve të jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu e zyrtarë të tjerë të lartë, pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Munich.