Presidentja Jahjaga takon sot opozitën
Prishtinë, 20 tetor - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pritet të takojë sot përfaqësuesit e partive opozitare, në kuadër të bisedimeve për të tejkaluar bllokadën e punës së Kuvendit.
Të hënën, Jahjaga ka pritur në takim të përbashkët kryeministrin Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Raportet midis pushtetit dhe opozitës janë tensionuar për shkak të marrëveshjes me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Sipas opozitës, këto marrëveshje e defunksionalizojnë dhe dëmtojnë shtetin.
Kryeministri Mustafa ka thënë se nuk do ti nënshtrohet kërkesës së opozitës për tërheqje të nënshkrimeve nga marrëveshjet.