Presidentja Jahjaga priti shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse Greke
Prishtinë, 14 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou.
Presidentja Jahjaga me këtë rast vlerësoi bashkëpunimin e Kosovës dhe të Greqisë dhe theksoi rëndësinë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat.
Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës është integrimi në strukturat euroatlantike dhe tha se mbështetja e Greqisë në këtë fushë është e nevojshme.
Shefja e re e Zyrës Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, ambasadorja Konstantina Athanassiadou, tha se do të angazhohet për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit që ka kjo zyrë me institucionet e Kosovës .