Presidentja Jahjaga priti në takim lamtumirës Osnat Lubrani
Prishtinë, 19 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumirës koordinatoren e programeve për zhvillim të OKB-së, njëherësh shefe e UNDP-së, znj.Osnat Lubrani, dhe pasardhësin e saj në këtë post,Andrew Russell.
Presidentja Jahjaga e falënderoi znj. Lubrani për kontributin që UNDP-ja ka dhënë në forcimin e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës dhe përkrahjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve dhe avancimin e projekteve për çështje gjinore.
Presidentja Jahjaga i dëshiroi mirëseardhje koordinatorit të ri të programeve për zhvillim të OKB-së njëherësh shef i UNDP-së, z. Andrew Russell, dhe i shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit.
Koordinatorja e programeve për zhvillim të OKB-së njëherësh shefe e UNDP-së znj. Osnat Lubrani, tha se UNDP-ja i ka përshtatur projektet në përputhje me prioritetet e institucioneve të Kosovës. Ajo theksoi se UNDP-ja dhe UNKT-ja përmes projekteve synojnë afrimin sa më të madh të Kosovës me institucionet e OKB-së.