Presidentja Jahjaga priti Ministrin e Jashtëm të Maltës, George Vella
Prishtinë, 2 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim Ministrin e Jashtëm të Maltës, George Vella.
Presidentja Jahjaga me ministrin Vella bisedoi për zhvillimet më të fundit në vendin tonë, si dhe për proceset që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.
Presidentja Jahjaga dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës z. George Vella biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Presidentja nënvizoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces dhe kërkoi që zbatimi i këtyre marrëveshjeve të jetë parakusht për procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se Kosova është promovuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, ndërkohë që konfirmoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje.
Presidentja Jahjaga vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve janë shumë të mira dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes dypalësh. Ajo e falënderoi ministrin Vella për ndihmën e vazhdueshme që Malta i ka dhënë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe anëtarësimit të saj në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm i Maltës z. George Vella theksoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar mbështetjen për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe për perspektiven e saj evropiane.