Presidentja Jahjaga priti Farid Zarifin
Prishtinë, 31 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot ne takim një delegacion të UNMIK-ut të udhëhequr nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Kosovën, Farid Zarif.
Në takim u bisedua për vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun në Kosovë, e cila vizitë u vlerësua si e mirë dhe e suksesshme e në kuadër të vizitave të gjitha shteteve të rajonit në funksion të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit.
Presidentja Jahjaga i shprehu falënderimet e saj për vizitën e sekretarit të OKB, Ban Ki Mun në Kosovë dhe për përkushtimin dhe angazhimin e tij në çështjen e Kosovës dhe të paqes e stabilitetit në rajon dhe në botë.
Ajo gjithashtu falënderoi misionin e UNMIK-ut për punën e mirë që e ka bërë në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve si dhe për misionin e tij simbolik por shumë të rëndësishëm që po e kryen në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, dhe në raportet tremujore që dërgohen nga ky mision në OKB.
Presidentja Jahjaga gjithashtu foli për mandatin e misioneve ndërkombëtare në Republikën e Kosovës pas heqjes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe të respektimit të ligjeve dhe të kushtetutës në mbarë territorin e vendit.
Farid Zarif i shprehu falënderimet e Ban Ki Mun për mikpritjen e organizuar dhe përshëndetjet personale të Ki Mun për angazhimin e Presidentes Jahjaga.
Takimi ishte në kuadër të konsultimeve dhe të informimeve të rregullta që mbahen ndërmjet Presidentes së Kosovës dhe UNMIK ut.