Presidentja Jahjaga pranoi Raportin e Progresit
Prishtinë, 8 shtator - presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pranoi sot nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, zotëri Samuel Zbogar, Raportin e Progresit për vitin 2014 dhe Strategjinë e Zgjerimit të BE-së të miratuar nga Komisioni Evropian, që vlerëson përparimin e gjithmbarshëm të Kosovës drejt integrimit evropian.
Presidentja Jahjaga mirëpriti Raportin e Progresit për Kosovën, duke theksuar se ky raport vlerëson njohjen e përparimit të arritur të Kosovës në përmbushjen e reformave evropiane në vitin e fundit. Njëkohësisht, Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar që sfidat e identifikuara në raport të adresohen me seriozitetin më të lartë nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e reja me urgjencë duhet të jetësojnë përkushtimin për reforma dhe të adresojnë mangësitë e identifikuara nga ky raport.
Presidentja Jahjaga gjithashtu mirëpriti gatishmërinë e Komisionit Evropian për të ndihmuar Kosovën në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në dhe për të intensifikuar dialogun me Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, që udhëhiqet nga Presidentja e Kosovës.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, zotëri Samuel Zbogar, vlerësoi se Raporti i Progresit është një raport pozitiv që vlerëson përmbylljen e suksesshme të procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, progresin e deritanishëm në adresimin e kritereve për liberalizim të vizave, bashkëpunimin me EULEX-in dhe zotimin për krijimin e Gjykatës Speciale, përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe procesin zgjedhor në Kosovë.