Presidentja Jahjaga përgëzon arritjen e marrëveshjes në Bruksel
Prishtinë, 19 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Republikës së Serbisë, Ivica Daciq në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinjëve sovrane dhe të pavarura, që u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Jahjaga vlerëson se marrëveshja e arritur ndihmon në vendosjen e bashkëpunimit të gjithanshëm si dhe relakson raportet ndërmjet dy vendeve tona, duke ndihmuar në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është kontribut konkret për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Dialogu nuk ka alternativë dhe është mënyra e vetme për gjetjen e zgjidhjeve që ndihmojnë në lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
Presidentja Jahjaga, që po qëndron në Londër, bisedoi me telefon me kryeministrin Thaci të cilin e përgëzoi për arritjen e marrëveshjes dhe përkushtimin e tij në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe të kushtetutshmërisë dhe për përmbylljen me sukses të një kapitulli të marrëdhënieve të rënduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.