Presidentja Jahjaga ngushëlloi familjen Bokshi
Prishtinë, 17 gusht - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ngushëlloi sot familjen Bokshi, me rastin e vdekjes së më të dashurit të tyre, akademik Besim Bokshi.
Në telegram thuhet:
E nderuara familje Bokshi
Me dhembje e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, poetit e intelektualit të shquar, ish Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Besim Bokshi.
Humbja e Akademik Besim Bokshit, nuk është humbje vetëm për familjen Bokshi, por është humbje e madhe për kulturën, gjuhën shqipe, është humbje e madhe për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dhe për Kosovën në përgjithësi.
Akademik Bokshi, do të mbahet në mend për punën e tij dhe kontributin e vazhdueshëm për krijimtarinë dhe veprat gjuhësore, për kontributin e çmuar në fushën e albanologjisë si dhe për angazhimin dhe punën e tij për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve.
Vepra dhe krijimtaria e akademik Besim Bokshit, do të jetoj ndër mote duke shërbyer si motivim për studiuesit e rinj dhe për intelektualët e Kosovës.