Presidentja Jahjaga mund të takojë Nikolliqin pas 17 janarit
Në një deklaratë te zëdhënësit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Arbër Vllahiu, lidhur me takimin e mundshëm ndërmjet Presidentes së Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, thuhet se Presidentja Jahjaga, që në ditën e parë të mandatit të saj e ka shprehur qëndrimin parimor dhe konkret se është e gatshme të takohet me këdo, kurdo dhe kudo në përfaqësim dhe mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, duke respektuar mandatin e saj kushtetues dhe ligjor.
Vllahiu ka kujtuar se ky është qëndrim parimor i presidentes qysh në ditën e parë të mandatit të saj.
Që në Samitin e katër presidentëve të shteteve të rajonit, të mbajtur në Ohër të Maqedonisë, në korrik të vitit 2011, presidentja Jahjaga pranoi propozimin dhe ndërmjetësimin e presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për të pasur një takim me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq."
"Gjithashtu edhe në takimin e katër presidentëve që u mbajt më 4 dhe 5 dhjetor të këtij viti, në Budvë të Malit të Zi, ftesa për pjesëmarrje i ishte bërë edhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka thënë Vllahiu.
Ai ka bërë të ditur se, në ditën e fundit të Samitit të Budvës, kabineti i presidentes është kontaktuar nga presidenca serbe dhe është sugjeruar një takim i drejtpërdrejtë ndërmjet presidentëve të të dyja vendeve.
Vllahiu ka thënë se presidentja është kontaktuar edhe nga zyrtarë të lartë të BE-së dhe është biseduar për mundësinë dhe modalitetet e takimit ndërmjet dy presidentëve.
Presidentja Jahjaga i është përgjigjur pozitivisht një nisme të tillë, duke e konsideruar edhe si nismë të saj, sepse takimet ndërmjet liderëve të të dyja shteteve i kontribuojnë agjendës evropiane për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe për zgjidhjen e çështjeve me anë të marrëveshjeve e dialogut, ka thënë Vllahiu, për të shtuar:
Pasi dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me një mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja Jahjaga u ka sugjeruar liderëve te Bashkimit Evropian që të organizojnë dhe ndërmjetësojnë takimin e parë ndërmjet presidentes së Republikës së Kosovës dhe presidentit të Republikës së Serbisë dhe ky takim do të mbahej pas takimit të radhës të kryeministrave Thaçi dhe Daçiq.
Takimi i radhës mes dy kryeministrave është caktuar për 17 janar të vitit të ardhshëm.
Sipas Vllahiut, presidentja Jahjaga konsideron se dialogu është e vetmja alternativë për gjetjen e zgjidhjeve evropiane dhe për zbatimin e tyre në funksion të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura.
Takimet e presidentes me kryetarët e shteteve e forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ka theksuar Vllahiu.