Presidentja Jahjaga mban fjalimin vjetor në Kuvend
Gjatë seancës së parë Presidentja, Atifete Jahjaga, do tu adresohet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër obligimit të saj kushtetues.
Pritet që presidentja të flasë për procesin e bisedimeve me Serbinë, të integrimeve evropiane, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, forcimin e sundimit të ligjit, suksesin e zgjedhjeve komunale, integrimin e qytetarëve serbë të veriut në institucionet e Kosovës.
Në seancën e dytë shqyrtohen katër projektligje dhe dy raporte të komisioneve parlamentare, si dhe do të zgjidhen gjashtë anëtarë të dy agjencive të pavarura.
Në të njëjtën ditë do të vazhdohet me dy pikat e mbetura nga seanca e shkuar: Votimi i Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2012, si dhe emërimi i kryetarit dhe i anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Në seancën e re që do të mbahet në të njëjtën ditë, pas pikave të përhershme të seancave të rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë katër projektligje.
Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës dhe Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen:Projektligji për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Projektligji për investimet e huaja.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, si dhe Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike.
Do të vazhdohet me zgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, dhe të dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.
Në seancë do të kërkohet vota formale për propozimin e Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor ( Sala Berisha Shala në vend të deputetit Njazi Idrizi).