17 Maj 2024

Presidentja Jahjaga i uroi mirëseardhje Haradinajt

Prishtinë, 30 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ish-kryeministrin dhe kryetarin e AAK-së, zotëri Ramush Haradinajn, me bashkëpunëtorët e tij.

Presidentja Jahjaga i uroi mirëseardhje Haradinaj dhe e uroi për lirimin dhe shpalljen të pafajshëm për të gjitha akuzat nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Ajo tha se ky është një gëzim jo vetëm për familjen e tij por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës sepse kauza për të cilën ka luftuar Haradinaj dhe angazhimi i tij mbetet e pastër dhe kontributi i tij për shoqërinë dhe për Kosovën, ashtu si edhe në të kaluarën, do të jetë domethënës.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në proceset demokratike por tha se si çdo shtet tjetër në tranzicion po bëhen përpjekje që duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën të realizohen synimet.

Ajo e vlerësoi kontributin e AAK-së si konstruktiv dhe të konsiderueshëm dhe theksoi se me caktimin e nënkryetarit të kësaj partie, si koordinator politik për dialog me Serbinë, kontributi i saj në gjithë procesin të jetë më i theksuar.

Presidentja Jahjaga i dha përkrahje dhe mbështetjen z. Haradinaj dhe theksoi se llogarit në punën e tij dhe të subjektit që udhëheqë në punën e përbashkët për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës dhe për avancimin e proceseve drejt integrimeve euro-atlantike dhe në thellimin e miqësisë me miqtë ndërkombëtarë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e falënderoi presidenten Jahjaga për pritjen dhe për mbështetjen që i ka ofruar.

Ai e vlerësoi gjithashtu gjithë pritjen që i është bërë në Kosovë pas lirimit nga Gjykata dhe tha se ka përcjellë me vëmendje gjithë proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Haradinaj theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm por gjithashtu tha se ka edhe sfida në rrugën e saj përpara, të cilat do të tejkalohen me angazhimin e të gjithëve së bashku.

Ai tha se proceset demokratike në vend kanë nevojë për një dinamizëm dhe kjo do të arrihet me angazhimin e përbashkët.

Presidentja Jahjaga dhe zotëri Haradinaj biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që po zhvillohet me ndërmjetësimin BE-së dhe me përkrahjen e SHBA-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)