Presidentja Jahjaga dekretoi faljen e disa të dënuarve
Prishtinë, 17 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në pesëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, nxori një dekret për faljen e dënimit të mbetur 4 personave, që janë duke vuajtur dënimet nëpër qendrat korrektuese në Republikën e Kosovës.
Dekreti u nxor, duke u bazuar në nenin 84, pika 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në Ligjin Nr. 03/L-101, për Faljen, në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, si dhe në Dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Nr. DF-001-2012, Për Kriteret dhe Procedurat për Faljen e Personave të Dënuar.
Në nxjerrjen e këtij dekreti, Presidentja ka marrë në konsideratë dispozitat kushtetuese dhe të Ligjit për Faljen, Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe Dekretin DF-002-2012 mbi Përcaktimin e Kritereve për Dhënien e Faljes Personave të Dënuar, të dhënat e ofruara nga Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Republikës së Kosovës dhe mendimin e Komisionit Profesional, të themeluar nga Presidentja e Republikës së Kosovës për këtë qëllim.