29 Dhjetor 2024

Presidentit Malav shtroi banket shtetëror për Presidentin Sejdiu

Lilongwe, 18 qershor - Në kuadër të vizitës që po bën në Malavi, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mbrëmë mori pjesë në një banket shtetëror me ftesë të Presidentit Mutharika.

Po ashtu, të pranishëm ishin edhe Ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni si dhe Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Muhamet Hamiti. Të pranishëm ishin edhe qindra personalitete të jetës kulturore e politike të Malavit.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti Bingu Wa Mutharika tha se ndihet krenar që vendi i tij është një nga vendet e para të Afrikës që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai, po ashtu, rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në fjalën e tij që mbajti në këtë banket shtetëror, Presidenti Sejdiu tha: Patëm mundësinë të përcjellim falënderimin e drejtpërdrejta të shkëlqesisë së Tij, Presidentit Mutharika për vendimin e madh që ka marrë bashkë me vullnetin e popullit të tij, për të njohur pavarësinë e Kosovës. Pata mundësinë që ta njoftoj për zhvillimet dhe progresin që ka bërë Republika e Kosovës, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe po kështu e njoftova edhe për vizionin e shtetit tonë të ri, që kemi për vizion ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë paqen dhe stabilitetin.

Më tej, Presidenti Sejdiu tha se, përkundër faktit që është një distancë e madhe gjeografike që i ndan të dy vendet, megjithatë, janë çështje të shumta që lidhin fuqishëm këto dy vende.

“Është e vërtetë se ne na ndan distancë e madhe gjeografike, por, na afrojnë çështjet e shumta që lidhen edhe me të kaluarën, por edhe me vizionin tonë për të ardhmen. Edhe Republika e Kosovës, sikur edhe Republika e Malavit kanë pasur fatin e njëjtë që të kenë shumë miq në botë, u kanë zgjatur dorën e bashkëpunimit dhe të mbështetjes për zhvillime të shpejta duke u përballur me të gjitha sfidat që dalin para nesh. Andaj, po them që në këtë kohë kur ne po jetojmë, e kemi për borxh që të bëjmë shumë për gjeneratat e ardhshme. Secili shtet, në vendin e vet dhe me mundësitë e veta të rrezatojë gjithmonë energji pozitive”, tha Presidenti Sejdiu.

Ai, po ashtu, kërkoi mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme nga Republika e Malavit si dhe nga vendet e tjera mike.

“Në presim mbështetjen e Republikës së Malavit dhe të gjithë shteteve mike, që do ta njohin Republikën e Kosovës sa më shpejtë. Janë 69 shtete që e kanë njohur deri tash dhe presim njohje të tjera të menjëhershme, për të mundësuar një ecje më të shpejtë dhe anëtarësim në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)